Kurrikula e Akademisë së Animacionit

Programi i Animacionit 2D në Prishtinë është ndërtuar për të mësuar studentët prej bazave deri te teknikat më të avancuara të animacionit. Programi zgjat 8 muaj dhe klasat zhvillohen dy herë në javë, nga dy orë secila, me rotacion të katër shtyllave kryesore – animacioni “frame by frame”, rrëfimi dhe regjia, zhvillimi vizual dhe vizatimi për animacion – duke i dhënë studentëve përvojë praktike dhe njohuri të lidhura direkt me industrinë.

Studentët mësojnë parimet themelore të animacionit, si ndërtohet një tregim, dhe si krijohen personazhe, objekte e mjedise që e pasurojnë rrëfimin. Ata punojnë me ngjyra, kompozim dhe lëvizje, duke i përdorë këto për me tregu histori të qarta e me emocion.

Rol qendror ka edhe vizatimi, si baza e çdo animacioni: prej skicave dhe studimit të anatomisë, deri te perspektiva. Përmes ushtrimeve klasore, demonstrimeve dhe diskutimeve me tutorët, studentët zhvillojnë aftësi teknike dhe njëkohësisht ndërtojnë stilin e tyre personal.

Ky program i jep studentëve bazën dhe përvojën që ju nevojitet për me zhvillu projektet e veta të animacionit dhe për me vazhdu studimet ose punën në këtë fushë.

Detajet e Programit

    • Zgjatja e Programit: 1 vit i ndarë në 2 semestra.

    • Numri i Klasëve: 100 klasë

    • Lëndët:

      • Tregimtari

      • Animacion

      • Zhvillim Vizual

      • Vizatim

    • Madhësia e grupit: 8 deri në 12 studentë (varet nga numri i aplikimeve)

    • Klasa përmban: Studio të Animacionit, Kompjuterë së bashku me tabletë të vizatimit (wacom).

    • Tutorët: Profesionistë me përvojë në fushën e animacionit dhe pedagogjisë.

    • Aktivitete të tjera: Klubi i Animacionit, Ligjerata me pedagog të animacionit, punëtori me profesionistë nga industria e filmit të animuar, evente për rrjetëzim me studio e animatorë të tjerë vendor, pjesëmarrje në Festivalin e Filmit të Animuar “Anibar”

    • Projektet e Animuara personale & 75% Pjesëmarrja në klasë është obligative për diplomim nga programi i Animacionit

Ari Zharku

Ari Zharku

Animation Tutor

Ari është Artist Vizual nga Prishtina, Kosova. Pas përfundimit të studimeve në gjimnazin Eqrem Çabej, ai vazhdoi edukimin në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, në drejtimin e Pikturës. Në vitin 2019, ai ndoqi programin e animacionit 2D me narrativë në Akademinë e Animacionit. Pas përfundimit të programit, Ari ka punuar si Asistent Animator në filmin Magneti. Në vitin 2021, së bashku me Flakën dhe Fatlum Nezirin, themeloi Studio Pink-I, ku realizuan animacione të shkurtra dhe video promovuese. Ari është aktualisht Tutor i Dizajnimit të Sfondit dhe Animacionit në Akademinë e Animacionit dhe po përfundon filmin e tij të shkurtër Lobby Boy.

Edvin Susuri

Edvin Susuri

Drawing Tutor

Edvin Susuri është Ilustrues, Animator dhe Dizajner Grafik nga Prishtina, Kosova. Pas përfundimit të gjimnazit Sami Frashëri, ai nisi studimet për Bachelor në Arte dhe Dizajn në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Arteve. Edvini ka punuar në projekte të ndryshme kreative, duke u angazhuar fillimisht si Dizajner Grafik dhe Operator Printi, dhe më pas si praktikant i Dizajnit Grafik dhe Ilustrimit në Kokrra Studio. Ai ka punuar si Animator në SIYOV, si dhe si Tutor dhe Koordinator në Akademinë e Animacionit, duke udhëhequr kurse për Softuerë dhe Dizajn Karakteresh. Ai është gjithashtu udhëheqës ekipi në Anibar Studios, duke drejtuar projekte multidisiplinare dhe bashkëdrejtuar filmin e shkurtër Vija e Kuqe.

 

Flaka Kokolli

Flaka Kokolli

Storytelling Tutor

Flaka Kokolli është Animatore dhe Regjisore nga Prishtina, Kosova. Në vitin 2019, ajo përfundoi studimet Bachelor në Metropolitan University of Budapest në drejtimin e Animacionit. Angazhimi i saj me animacionin filloi që në vitin 2013, kur u bë pjesë e Festivalit të Animacionit Anibar si vullnetare dhe më pas si tutore, anëtare e panelit dhe intervistuese. Po në vitin 2019, Flaka hapi studion e saj të animacionit në Prishtinë, Flammorum, ku realizoi disa filma të shkurtër dhe projekte të tjera të animuara. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e ekipit të Akademisë së Animacionit Anibar si tutore dhe ka ligjëruar edhe në programin Genesis.

Jeta Sokoli

Jeta Sokoli

Visual Development Tutor

Jeta Sokoli është Animatore dhe Regjisore nga Kosova. Pas përfundimit të Shkollës së Mesme “Mileniumi i Tretë”, ajo vazhdoi studimet në “Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Arteve” në drejtimin Dizajn Grafik. Në vitin 2019, ajo filloi punën si Ilustruese e librave për fëmijë dhe teksteve shkollore në “Dukagjini Publishing House”, ku ka kontribuar në projekte si Pinoku dhe librat klasikë të fëmijëve të Gianni Rodarit. E njëjta vit, Jeta u bë pjesë e Akademisë së Animacionit Anibar si studente e gjeneratës së dytë, dhe në vitin 2023 u rikthye si Tutore e Dizajnit të Animacionit në programin për të rinjtë dhe më vonë në programin e animacionit 2D me narrativë. Ajo aktualisht punon si regjisore dhe skenariste e filmit të shkurtër të animuar Through the Cracks, të mbështetur nga QKK – Qendra Kinematografike e Kosovës.